Autoret

Shkruar nga: El Fawaid
Autoret

Me emrin e Allahut, Të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, dhe Salavatet shkojnë për të dashurin tonë, Profetin Muhammed (alejhi selam).

Ideja e ndërtimit të kësaj faqeje ka nisur si një mundësi e mirë për muslimanët shqipfolës, në mënyrë që të përfitojnë në besimin e tyre prej hoxhallarëve të nderuar, që punojnë çdo ditë të vitit, për tua bërë sa më të lehtë dhe të kuptueshëm besimin islam.

Duke parë mundësitë e pakta të prezantimit fizik nëpër xhamia dhe institute mësimore, dhe ato ekonomike për të blerë botimet e librave të rëndësishëm për një pjesë të muslimanëve, kjo është zgjidhja më e mirë për tua lehtësuar atyre marrjen e diturisë.

Çdo artikull i postuar në këtë web-faqe është një studim dhe përkthim nga arabishtja në gjuhën shqipe prej hoxhallarëve, dhe në përshtatje me gjendjen dhe traditën islame në trevat shqiptare. Kjo është një mirësi e madhe si për hoxhallarët që u jepet mundësia e dawetit nëpërmjet teknologjisë, ashtu edhe besimtarëve për marrjen e diturisë fetare.

Për çdo paqartësi rreth artikujve mund të komunikoni nëpërmjet adresës në Facebook, me pyetje direkte për hoxhallarët. Allahu na e mundësoftë kuptimin e drejtë të Fesë, dhe na bëftë të dobishëm për njerëzit.

Hoxhë Abdurrahman Ruka u lind më 22 Gusht të vitit 1976. Pas shkollës së mesme në Liceun Artistik të Tiranës ka vazhduar studimet në Universitetin “Muhamed ibn Sa’ud” në Rijad të Arabisë Saudite.

Pas studimeve në Fakultetin e Sheriatit, vazhdon magjistraturën në Institutin e Lartë të Drejtësisë në të njëjtin Universitet, me profil Fikhu (Sheriati) krahasues. Në përfundim të saj, Hoxha nis doktoraturën në të njëjtin Institut duke e mbrojtur në vitin 2015, me temën: “Normat e gjyqësorit në lidhje me muslimanët që jetojnë në vende jo-islame.”

Hoxhë Ismail Bardhoshi u lind më 1 Tetor të vitit 1977 në Librazhd, pjesë e prefekturës së Elbasanit. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, kurse për dallim prej kolegëve të tij, studimet në botën arabe i filloi shumë herët duke ndjekur mësimet fetare në Institutin El-Furkan, në Damask të Sirisë.

Më pas vazhdoi studimet e tij në degën e Sheriatit në Universitetin Islamik ‘Muhamed ibn Saud’ në Rijad të Arabisë Saudite. Me përfundimin e studimeve, Hoxha kthehet në vendlindje për t’i ftuar njerëzit në fenë e Zotit dhe për t’ua mësuar atyre atë dituri që kishte marrë për një kohë të gjatë.

Hoxhë Uthman Agolli u lind më 2 Shkurt të vitit 1975 në qytetin e Korçës. Ka kryer shkollën profesionale “Demir Progri” në qytetin e lindjes dhe pas saj, ka vazhduar studimet e larta në Jordani, në Universitetin e “Zerkas”, Dega Usul el Fikh (Bazat e Sheriatit).

Në përfundim të studimeve, Hoxha kthehet në vendlindje, duke i shërbyer Fesë dhe besimtarëve në qytetin e tij. Ai dallohet për përkthimin e librave fetarë nga arabishtja në shqip, ku veçojmë Tefsirin (komentimin) e Kur’anit të Dijetarit te shquar Abdurrahman ibn Nasir el Sa’di.

Hoxhë Ahmed Numanaj u lind më 1 Shtator të vitit 1985 në qytetin e Tiranës. U rrit dhe u edukua ne këtë qytet, ku dhe u profesionalizua në shkollën “Karl Gega”, në profilin Mobileri. Me përfundimin e shkollës, u nis drejt Sirisë, në kërkim të diturisë fetare, ku dhe diplomohet në Institutin “Ebu Nur”.

Menjëherë mbas kësaj, Hoxha nuk rendi së kërkuari dituri, por udhëtoi drejt Medines së Pejgamberit (alejhi selam), në Arabinë Saudite. Atje studioi në Fakultetin e Sheriatit për 4 vite. E mbasi përfundoi këtë fakultet, specializohet në Akide (Besim) dhe Dawet (Thirrje). Përveç kësaj, është i specializuar në psikologji fetare.

Hoxha aktualisht jeton dhe vepron në Tiranë, ku mban postin e Imamit, Hatibit dhe Mësuesit në Xhaminë e Selitës. Ai është i autorizuar nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë. Gjithashtu është mësues në Shkollën Jo-Publike “Ibrahim Dalliu”.

Hoxhë Gentian Mara u lind më 4 Qershor të vitit 1985 në qytetin e Tiranës. Ka kryer Medresenë e Tiranës ku vlerësohet ndër tre të parët. Pas përfundimit të saj, fiton bursë studimore në Katar, ku kryen institutin e gjuhës së huaj. Mbas kësaj, kthehet në Shqipëri ku dhe aktivizohet për një vit si imam në xhaminë e fshatit Barrar, Tiranë.

Duke mos u ndalur në kërkimin e diturisë, hoxha niset në drejtim të Damaskut, ku dhe mbaron studimet e mesme në institutin “Imam Hatib”, me gradën shkëlqyer. Dëshira e madhe për fenë e nxit të vazhdojë fakultetin e Dawes (Thirrjes) pranë kompleksit universitar “Shejkh Ahmed Kiftaro”, për t’u transferuar një vit më vonë në fakultetin e Sheriatit, ku dhe diplomohet.

Përfundimisht, kthehet në vendlindje për t’u emëruar si imam dhe hatib i xhamisë “Mexhid Ali Kuka” në Tufinë, Tiranë. Nga aktivitetet e tij janë: emisionet në radio, emisionet në televizion, dhe udhëtimet për ligjërata jashtë vendit.